Home
Lajme
Aktivitetet
Service
Muzike
Motive nga Kosova
Per ne / Impressum
 Linke Interesante
PAVARESIA
Pro Art
 


  
  Flamuri  i  Kosovës                                                                              Stema e Kosovës                                                







 Shkarko Flamurit e Republikës së Kosovës 
   

                                                                                                                                        


Shkarko Stemën e Republikës së Kosovës 

 
Shkarkoni Himnin e Republikës së Kosovës

Kushtetuta e Republikës së Kosovës 

Kosova në Europë                                                                                                   

 

Vendet që e njohën zyrtarishtë Republikën e Kosovës

 Klikoni nën > WIKIPEDIA-Njohja e Republikës së Kosovës.org. < Klikoni


11:00 | Kryeministri bën publike kërkesën për mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit                                                                                                                                                                         
12:00 | Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit                                                                                                                                                                                              
15:00 | Seanca e Kuvendit: Shpalllja e Pavarësisë së Kosovës                    
18:30 | Ngritja e lapidarit të Pavarësisë para Pallatit të Rinisë
19:00 | Koncerti i Filharmonisë - Salla 1 Tetori
20:00 | Koncerti në Sheshin e Kryeqytetit  
22:50 | Kryetari dhe Kryeministri i drejtohen masës
23:00 | Fishekzjarre nga 4 pika të ndryshme të qytetit



Zyra ndërlidhëse gjermane sot zyrtarisht u shndërrua në Ambasadë të Gjermanisë në Prishtinë

Zyra ndërlidhëse gjermane në Prishtinë, u shndërrua sot (27.02.08) zyrtarisht në Ambasadë të Republikës Federale të Gjermanisë në vendin tonë, në të cilën u ngrit edhe flamuri i Republikës së Kosovës. Zyra ndërlidhëse gjermane është e para që është shndërruar në Ambasadë në Prishtinë. Pritet që shumë shpejt të emërohet edhe ambasadori i ri gjerman.
Ushtruesi i detyrës së ambasadorit gjerman, Karl Vokalek, sqaroi se Zyra ndërlidhëse ka kryer të gjitha detyrat që i kryen një ambasadë. Por, Kosova deri më tani nuk ka qenë një vend i pavarur, ndërsa marrëdhëniet diplomatike mund të lidhen vetëm me shtetet e pavarura dhe sovrane. Kështu që kjo marrëdhënie diplomatike, siç tha ai, ka hyrë në fuqi me një shkëmbim letrash mes dy presidentëve të vendeve tona, më 21 shkurt të këtij viti.
“Tani kemi pasur mundësinë të vendosim këtë pllakë me emërtimin Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë dhe kjo tregon që ne jemi këtu për të mbrojtur dhe zbatuar interesat gjermane në vend. Marrëdhëniet do të mbesin të njëjta, nuk do të ndryshohet asgjë. Ne i kemi ndihmuar Kosovës, do të vazhdojmë t’i ndihmojmë, jemi të pranishëm jo vetëm si shtet, por edhe në kuadër të Bashkimit Evropian dhe do t’i vazhdojmë të gjitha detyrat që kemi kryer deri më tani”, ka thënë Z. Karl Vokalek.
Zyra ndërlidhëse gjermane është e para që është shndërruar në Ambasadë në Prishtinë. Pritet që së shpejti të emërohet edhe ambasadori i ri gjerman.



Shtohet numri i shteteve që po njohin pavarësinë e Kosovës

Vazhdon të rritet numri i shteteve që po i bashkohen taborit të njohjes zyrtare të Shteti të ri të Republikës së Kosovës. Qeveria federale australiane edhe formalisht ka njohur Kosovën si një shtet të pavarur, duke premtuar se shumë shpejt do të marrin në konsideratë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Në një deklaratë të lëshuar sot, ministri i Jashtëm australian, Stiven Smith tha se Australia respekton vendimin e popullit të Kosovës. Smith i dëshiroi Qeverisë së re të Kosovës çdo të mirë dhe potencoi nevojën që shteti i pavarur të mbrojë të drejtat dhe sigurinë e minoriteteve etnike, si dhe trashëgimisë kulturore.
Poashtu edhe Qeveria e Kostarikës ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe ka uruar shtetin e ri "ndërtim të suksesshëm dhe demokratik të shteti të Kosovës . Ministri i Punëve të jashtme të Costa Rikës në letrën e tij zyrtare shkruan se nën ushtrimin e fuqive të tij diplomatike dhe në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare mbështet pavarësinë e Kosovës.
Republika e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran është pranuar nga këto shtete: SHBA, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Estonia, Afganistani, Italia, Latvia, Shqipëria, Australia, Belgjika, Turqia, Finlanda , Lituania, Austria, Costa Rika, Senegali, Tajvani .
Ndërkaq sipas ministrit të mbrojtjes së Maqedonisë, Lazar Elenvoski, për këtë shtet pavarësia e Kosovës është e pranueshme. Pavarësia e Kosovës do të njihet brenda disa javësh edhe nga Bullgaria, ka bërë të ditur ministri i jashtëm Ivalin Kalfin, sipas të cilit vonesa ka të bëj me procedurat nacionale për pranimin e pavarësisë.
Konferenca islamike botërore me 57 shtete anëtare përmes një deklarate kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës, ku i urohet Kosovës sukses në ndërtimin e një shteti të fortë dhe prosperues.


Luksemburgu njeh pavarësinë e Kosovës

Luksemburgu sot (21.02.08) e ka njohur pavarësimin e Kosovës nga Serbia, njoftoi Qeveria në Luksemburg. Ministri i Jashtëm, Jean Asselborn, i tha Parlamentit se në qoftë se Bashkimi Evropian konsideron se status-quo-ja në Kosovë është e paqëndrueshme dhe se duhen ndërmarrë përgjegjësi të posaçme në Ballkan, atëherë "ne duhet të veprojmë".

Parlamenti njëzëri e mbështeti vendimin e Qeverisë për njohjen e shtetit të Kosovës.

Danimarka dhe Sllovenia njohin pavarësinë e Kosovës

Danimarka ka njohur sot (21.02.08) pavarësinë e Kosovës, ka bërë të ditur Ministria e Jashtme daneze. Ministri i Jashtëm i Danimarkës Per Stig Moeller, do t'u dërgojë letër presidentit Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi për ta bërë të ditur edhe zyrtarisht njohjen. Poul Moller, shef i diplomacisë së Danimarkës ka thënë se me pranimin e Kosovës, shtetet e BE-së kanë shpresuar të sjellin një stabilitet politik dhe prosperitet ekonomik në Ballkan.

“Në këtë mënyrë copa e fundit e rajonit të komplikuar të Ballkanit po bie në vendin e vet”, ka shkruar Møller në të përditshmen daneze Politiken. “Kufijtë janë vizatuar dhe kushtet për stabilitet janë në vend”, tha ai.

Ndërkaq Qeveria e Sllovenisë në mbledhjen e saj, të enjten, ka fuqizuar propozimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe ia ka përcjell atë parlamentit të këtij vendi – i cili duhet të marrë vendimin, ka thënë zëdhënësi i qeverisë sllovene, Valentin Hajdinjak.

Sipas procedurës zyrtare, propozimi i Qeverisë para se të arrijë në duart e deputetëve sllovenë, fillimisht do të shqyrtohet nga Këshilli Parlamentar për Politikë të Jashtme, bën të ditur agjencia sllovene STA.

Para dy vjetësh Sllovenia ka ndjekur procedurën e njëjtë edhe për njohjen e Malit të Zi.

Italia dhe Estonia zyrtarisht njohin pavarësinë e Kosovës

Italia ka njohur sot (21.02.08) edhe zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës, ka bërë të ditur Qeveria në Romë. Vendimi është miratuar gjatë takimit qeveritar të kryesuar nga kryeministri Romano Prodi. Po sot, edhe Estonia iu ka bashkuar vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Vendimin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm i Estonisë, Urmas Paet. "Italia i bashkohet shumicës së vendeve evropiane rreth kësaj çështjeje delikate politike", ka deklaruar Romano Prodi, në konferencën për shtyp, të mbajtur me rastin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, njofton REL.

Para takimit qeveritar, ministri i Jashtëm , Massimo D'Alema, kishte deklaruar se "është e domosdoshme dhe e dobishme" për Romën që të vendosë marrëdhënie diplomatike me Prishtinën dhe të njohë Kosovën si shtet sovran.

Si në rastet e mëparshme të vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Beogradi ka reaguar duke thënë se do të tërheqë ambasadorin e vet nga Roma.

Kosovën sot e ka njohur edhe Estonia.

Vendimin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm, Urmas Paet. "Jemi të kënaqur që në Deklaratën e Pavarësisë, të miratuar nga Parlamenti i Kosovës, vihet në pah se Kosova është e gatshme për ta zbatuar planin e Martti Ahtisaarit dhe për të mbrojtur të drejtat e pakicave dhe trashëgiminë e tyre historike dhe kulturore.

Norvegjia njeh shtetin e Kosovës

Norvegjia rreshtohet përkrah shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Konfirmimi për njohjen e pavarësisë së shtetit më të ri në botë ka ardhur nga vetë ministri i Jashtëm Norvegjisë, Jonas Gahr Store. “Mund të deklaroj sot se Norvegjia do të njohë Kosovën si shtet të pavarur”, ka bërë të ditur Store në një deklaratë për shtyp.

Mes vendeve nordike Oslo ndjek gjurmët e Finlandës, Suedisë dhe Danimarkës, të cilat në ndryshim nga vetë Norvegjia janë të gjitha anëtare të BE-së.

Gjermania njeh shtetin e Kosovës

Gjermania u bashkohet fuqive tjera të mëdha që njohën shtetësinë e Kosovës –SHBA-ve, Francës, Britanisë së Madhe, Australisë, Turqisë dhe disa vendeve tjera.  Një zyrtar i lartë gjerman ka thënë se Qeveria e kancelares Angela Merkel, në Berlin, e ka miratuar njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.

Agjencia Associated Press, duke iu referuar burimeve anonime, ka transmetuar se kabineti i Qeverisë Merkel e ka miratuar njohjen e Kosovës si shtet dhe kjo do të pasohet me letrën e presidentit të Gjermanisë, Horst Koehler, dërguar Prishtinës zyrtare për vënien e marrëdhënieve diplomatike.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë. Frank-Walter Steinmeier, pardje kishte thënë se Gjermania do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Malajzia njeh pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka pritur të mërkurën shefin e Zyrës së Malajzisë në Prishtinë, Mustafa J Mansor. Mansor e njoftoi Presidentin Sejdiu se qeveria e shtetit që ai përfaqëson ka vendosur ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ai po ashtu përcolli mesazhin se Malajzia ka vendosur që ta ngrisë përfaqësinë e vet në Kosovë në nivel ambasade dhe se Mansor do të jetë i Ngarkuar me Punë në këtë Ambasadë.

Edhe Austria njeh Republikën e Kosovës

Qeveria e Austrisë në mbledhjen e sotme (20 Shkurt '08) ka marrë vendim për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Akti formal i njohjes pritet të ndodhë në fillim të javës së ardhshme, kur presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, do të kthehet nga vizita prej Afrikës. Në pajtim me procedurën juridike, Qeveria austriake do t’i kërkojë Fischerit që ta autorizojë shefen e diplomacisë austriake, Ursula Plassnik, që t’ia dërgojë Prishtinës dokumentin e njohjes.

Kancelari austriak, Alfred Gusenbauer, një një konferencë për media ka thënë se Qeveria e Austrisë, po ashtu ka vendosur për vënien e raporteve diplomatike me Kosovën.

Letonia njohu pavarësinë e Kosovës

Vendi baltik, Letonia edhe zyrtarisht e ka njohur sot (20 Shkurt '08) pavarësinë e Kosovës, ka njoftuar Ministria e Jashtme e këtij vendi. "Letonia i vlerëson lartë parimet e përfshira në deklaratë, që janë madhore për një shoqëri demokratike", thuhet në njoftim. "Parimet, siç janë stabiliteti, rritja ekonomike, siguria, të drejtat e njeriut, mbrojtja e minoriteteve dhe paprekshmëria e trashëgimisë religjioze dhe kulturore janë elementet bazë mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja e Kosovës", thuhet, pos tjerash, në njoftimin e ministrisë së jashtme të Letonisë.

Vazhdon njohja e shtetit të Kosovës

Gjatë ditës së sotme (19.02.08) shtetin e Kosovës e kanë njohur edhe Australia, Kostarika, Senegali dhe Tajvani. Austria dhe Gjermania kanë bërë të ditur se nesër do ta njohin shtetin më të ri në botë. Australia edhe zyrtarisht njeh pavarësinë e Kosovës

Australia sot ka njohur edhe zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, ndërsa shumë shpejt ka premtuar vendosjen e raporteve diplomatike me Republikën tonë.

"Australia i dëshiron çdo të mirë Qeverisë së Kosovës në detyrat që e presin”, thuhet në njoftimin e ministrit të Jashtëm të Australisë, Stephen Smith.

Australia fuqishëm mbështet liderët e Kosovës dhe Serbisë që me rrugë paqësore të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre, thuhet në këtë njoftim.

Tajvani njeh pavarësinë e Kosovës

Tajvani ka njohur sot zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme të Tajvanit, James Huang, u ka thënë gazetarëve se Tajvani nuk përjashton vënien e lidhjeve zyrtare me Kosovën dhe se është i gatshëm t’i ofrojë ndihmë asaj, bën të ditur DPA.

Ndërkaq zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Liu Jianchao, ka deklaruar të hënën se Tajvani nuk ka kurrfarë të drejtash dhe as që i plotëson kushtet për ta njohur Kosovën.

"Është e njohur se i gjithë Tajvani është pjesë e Kinës dhe nuk ka asnjë të drejtë e as kushte për ta bërë një njohje të tillë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë kineze.

Kina dhe Tajvani janë ndarë në vitin 1949, mirëpo Pekini edhe më tutje e konsideron këtë ishull si pjesë përbërëse të Kinës dhe ka kërcënuar se do ta mbrojë integritetin territorial po që nevoja edhe me armë.

Edhe Kostarika njeh Kosovën

Edhe Qeveria e Kostarikës ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme të Kostarikës në letrën e tij zyrtare shkruan se nën ushtrimin e fuqive të tij diplomatike dhe në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare mbështet pavarësinë e Kosovës. 

Senegali njeh Kosovën

Senegali ka njohur shtetin e ri të Kosovës ka bërë të ditur ministria e jashtme e këtij vendi, njofton REL.
Senegali ka bërë të ditur gjithashtu se do të ndihmojë në përpjekjet për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe marrëdhënieve të mira, ndërmjet popujve dhe shteteve të rajonit të Ballkanit.


Bush: Pavarësia e Kosovës sjell paqe

Presidenti amerikan, George Bush, ka deklaruar sot se lidhur me pavarësinë e Kosovës ka mospajtime, por "ne besojmë, sikur edhe shumë vende të tjera, se ajo do të sjellë paqe në Ballkan".

"Ne kemi punuar për së afërmi me rusët, siç kemi punuar edhe me evropianët dhe vendet tjera, për pavarësinë e Kosovës, sepse besojmë se kjo është një gjë e drejtë. Ka mospajtime, por ne dhe shumë vende të tjera besojmë se ky veprim është i drejtë dhe sjell paqe në Ballkan", u tha gazetarëve presidenti Bush, në Dar Es Salam të Tanzanisë, ku ndodhet për vizitë, në kuadër të turneut të tij në Afrikë.

"Tash, të gjithë duhet ta ndihmojmë Kosovën që ta jetësojë paqen", ka thënë presidenti amerikan dhe ka ftuar autoritetet në Prishtinë që t'i respektojnë të drejtat e jo shqiptarëve në Kosovë.

Duke folur për kundërshtimin e Rusisë për të njohur pavarësinë e Kosovës, presidenti Bush ka thënë se Moska në këtë çështje nuk pajtohet me Washingtonin, por "historia do të dëshmojë se ky ishte një veprim i drejtë për të vendosur paqe në Ballkan".

"Qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë... Kemi qenë në konsultime të ngushta me rusët... Dhe, vendimi nuk ka paraqitur risi për Rusinë", ka thënë presidenti Bush.

Miliband: Kosova është rast unik

Qeveria britanike nuk konsideron se duhet shtuar numrin e ushtarëve të saj në Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, ka deklaruar shefi i diplomacisë britanike, David Miliband.

Miliband, në një intervistë për BBC, ka thënë se ka marrë njoftime nga diplomatët britanikë në Prishtinë e Beograd për rreziqet që ekzistojnë pas situatës së re të krijuar, mirëpo ka shtuar se ata nuk besojnë që “do të vije deri të prishja e rendit, që do të kërkonte shtimin e numrit të ushtarëve të KFOR-it”.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës është rast unik dhe nuk paraqet precedent për lëvizjet të tjera separatiste në Evropë, ka thënë ai. "Ajo që e bën këtë rast të veçantë është protektorati 9-vjeçar i Kombeve të Bashkuara brenda shtetit të pavarur të Serbisë”, ka shpjeguar ai.


Njohin pavarësinë: SHBA, Britania, Gjermania, Franca, Italia, Turqia…

Deri më tash pavarësinë e Kosovës kanë deklaruar se e njohin këto shtete: SHBA-të, Franca, Gjermania, Italia, Britania, Belgjika, Shqipëria, Turqia dhe Afganistani. Shumë shpejt pritet që pavarësinë e Kosovës ta njohin 17 shtete të BE-së, ndërsa njohjen e saj e kanë paralajmëruar edhe shumë shtete të tjera botërore. SHBA-të njohin pavarësinë e Kosovës


Condoleezza Rice: Shtetet e Bashkuara të Amerikës të hënën kanë njohur formalisht pavarësinë e Kosovës,
"Shtetet e Bashkuara sot kanë njohur formalisht Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Urojmë popullin e Kosovës për këtë rast historik", ka deklaruar Rice.

Sarkozy: Kosova shtet i lirë dhe i pavarur 

Franca e njeh Kosovën si "shtet të lirë dhe të pavarur". Kjo u bë e ditur përmes një letre të presidentit francez Nicholas Sarkozy drejtuar homologut të tij kosovar, Fatmir Sejdiu.
Franca është kështu shteti i parë anëtar i Bashkimit Evropian që njeh pavarësinë e Kosovës.

D’Alema: Italia njeh pavarësinë e Kosovës

Italia ka vendosur të njohë pavarësinë e Kosovës, ka deklaruar ministri italian i Punëve të Jashtme, Massimo D'Alema, pas takimit të ministrave të BE-së në Bruksel.

"Italia njeh pavarësinë e Kosovës si shtet i pavarur nën mbikëqyrjen ndërkombëtare”, ka thënë ai para mediave në Bruksel.


Turqia njeh pavarësinë e Kosovës

Turqia ka vendosur ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur, ka thënë të hënën ministri i Jashtëm turk, Ali Babacan.

“Republika e Turqisë... ka vendosur të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës”, thuhet qartë në deklaratën e ministrit turk dërguar agjencisë së lajmeve Reuters.

Shqipëria njeh pavarësinë e Kosovës

Shqipëria ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka thënë të hënën në një deklaratë për media se njohja e shtetit të ri është bërë nga Parlamenti, ndërkohë që Qeveria do të vendosë nesër ngritjen e një përfaqësie diplomatike në Kosovë në nivel ambasadorësh.

Duke përshëndetur edhe njëherë aktin e shpalljes së pavarësisë të cilën e quajti ngjarje historike, Berisha nënvizoi vullnetin e qeverisë së tij për marrëdhënie të mira fqinjësore me vendet e tjera të rajonit, përfshi këtu dhe Serbinë.

Kryeministri Berisha shprehu bindjen se pavarësia e Kosovës do të njihet edhe nga shtetet anëtare të OKB-së, ndërsa ka përshëndetur vendimin e samitit të ministrave të jashtëm të BE-së për Kosovën.

*************************************************************************************************************************************************************

Letra e kryeministrit britanik, Brown, dërguar Presidentit Sejdiu I nderuar President Sejdiu,

Në vazhdën e deklaratës së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, ju përgëzoj me dëshirat më të mira për ju dhe të gjithë qytetarët e Kosovës në këtë kohë historike.
Po ju shkruaj për t’ju vënë në dijeni se Qeveria britanike e njeh formalisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Unë mirëpres angazhimin publik dhe të fuqishëm të Qeverisë suaj, që ritheksohet nga Kuvendi i Kosovës në deklaratën e vet për zbatimin e tërësishëm të Propozimit Gjithëpërfshirës të Emisarit Special të OKB-së. Qeveria Britanike do të mbështesë fuqishëm procesin e zbatimit të marrëveshjes që çon në krijimin e një Kosove stabile, multietnike, demokratike dhe prosperuese, e zonja që të shkojë rrugës së integrimit europian dhe euro-atlantik.
Pajtimi në mes të komuniteteve të Kosovës, dhe në mes të Kosovës dhe të Serbisë, do të jetë një element i pazëvendësueshëm për stabilitetin afatgjatë të Kosovës dhe të rajonit në përgjithësi. Ju inkurajoj që ta ndiqni këtë objektiv me gjithë zemër, në të gjitha nivelet e qeverisjes në Kosovë, dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.
Sekretari i Jashtëm, David Miliband, gjithashtu i ka shkruar Kryeministrit Hashim Thaçi në lidhje me vendosjen e marrëdhënieve formale diplomatike dhe ngritjen e nivelit të Misionit Britanik në Prishtinë në rang të plotë Ambasade. Besojmë se për këtë Qeveria e Kosovës mund të bjerë në ujdi sa më shpejt që të jetë e mundur.
Mbretëria e Bashkuar është krenare për rolin kyç që kemi luajtur në rrugën e gjatë të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Tani që po nisim një marrëdhënie të re, pres me gëzim bashkëpunim të ngushtë në mes të vendeve tona, dhe paqe e prosperitet për ju dhe gjithë popullin në Kosovë në të ardhmen.

Juaji përzemërsisht,
Gordon Brown

*************************************************************************************************************************************************************

Letra e presidentit francez, Nicolas Sarkozy, dërguar presidentit Sejdiu

Zoti President,Nëpërmjet letrës së 17 shkurtit, e keni informuar Francën mbi vendimin që ka marrë Kuvendi i Kosovës më 17 shkurt 2008 për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe për angazhimin e implementimit të tërësisë së statusit të përgatitur nga i dërguari special i Kombeve të Bashkuara, Martti AHTISAARI, duke përfshirë edhe dispozitat në favor të komunitetit serb dhe thirrjen për një prezencë ndërkombëtare për të mbikëqyrur implementimin e këtij statusi nga Kosova.
Ministrat e Punëve të Jashtme të njëzet e shtatë vendeve anëtare të Unionit Evropian, duke pranuar këtë realitet të ri, kanë konfirmuar sot angazhimin evropian në Kosovë.
Kam nderin t’ju informoj që Franca, në pajtim të plotë me këtë deklaratë të Unionit Evropian, si rrjedhojë e pasojave të rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 17 shkurt 2008, nga ky moment e njeh Kosovën si Shtet sovran dhe të pavarur.
Ju propozoj që dy vendet tona të vendosin marrëdhënie diplomatike. Në pritje të emërimit të një ambasadori, ju propozoj të emëroni znj. Delphine BORIONE, shefe e deritashme e Zyrës së Ndërlidhjes së Francës në Prishtinë, në cilësinë e së ngarkuarës me punë a.i. (ad interim).
Uroj që faqja e re, e cila po hapet në mes të Francës dhe Kosovës t’i udhëheqë dy vendet tona drejt zhvillimit të raporteve jo vetëm në aspektin politik, por njëkohësisht edhe në atë kulturor, universitar dhe ekonomik.
Përfitoj njëkohësisht nga ky rast t’ju ripërsëris interesin e madh që tregon Franca, me qëllim që pavarësia e Kosovës t’i kontribuojë stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Uroj që implementimi i dispozitave të statusit të avancojë sa më shpejt dhe që Kosova të vendosë raporte të fqinjësisë së mirë me të gjithë fqinjët e vet.

Ju lus të pranoni, Zotëri President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Nicolas Sarkozy

*************************************************************************************************************************************************************


Letra e presidenti të SHBA-ve, George W. Bush, dërguar presidentit Sejdiu

Faleminderit z. BUSHI nderuari zoti President,

Në emër të popullit amerikan, unë njoh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ju përgëzoj Ju dhe qytetarët e Kosovës që keni marrë këtë hap të rëndësishëm në zhvillimin tuaj demokratik dhe kombëtar.

Në këtë rast historik, unë përkujtoj lidhjet e thella dhe të sinqerta të miqësisë që bashkojnë njerëzit tanë. Kjo miqësi, e farkuar gjatë orëve më të errëta të tragjedisë së Kosovës, është bërë edhe më e fortë në nëntë vitet qëkur ka mbaruar lufta në Kosovë. Prej asaj kohe, Kosova ka punuar për ta rindërtuar shoqërinë e shkatërruar nga lufta, për të ngritur institucionet demokratike, për të mbajtur zgjedhje të suksesshme për një qeveri të re, dhe për të avansuar prosperitetin.
Si shtet i pavarur Kosova tash merr përgjegjësi për fatin e vet. Si edhe në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara do të jenë partneri juaj dhe miku juaj.

Në kërkesën tuaj për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara, ju keni shprehur dëshirën e Kosovës për të arritur standardet më të larta të demokracisë dhe të lirisë. Unë e mirëpres këtë ndjesi. Në veçanti unë mbështes përqafimin nga ana juaj të multienticitetit si parim të qeverisjes së mirë dhe përkushtimin tuaj për të zhvilluar institucione të përgjegjshme, në të cilat të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit.

Po ashtu unë veneroj se në deklaratën e vetë të pavarësisë Kosova me vullnet të vetin ka marrë përgjegjësitë që i përshkruhen në bazë të Planit të Ahtisaarit. Shtetet e Bashkuara mirëpresin këtë angazhim të pakusht për t’i përmbushur këto përgjegjësi si dhe gatishmërinë e Kosovës për të bashkëpunuar plotësisht me bashkësinë ndërkombëtare gjatë periudhës së mbikëqyrjes ndërkombëtare, për të cilën keni rënë dakord. Shtetet e Bashkuara mbështeten në garancitë e Kosovës se ajo e konsideron veten juridikisht e obliguar t’u përmbahet dispozitave që përmban Deklarata e Pavarësisë së Kosovës. Jam i bindur se miratimi i plotë dhe me kohë i masave të propozuara nga Emisari Special për Kosovë, Ahtisaari, do ta sjellin Kosovën më afër përmbushjes së aspiratave të saj evro-atlantike.

Në bazë të këtyre garancive nga Qeveria e Kosovës, me kënaqësi e pranoj kërkesën tuaj që dy vendet tona të vendosin marrëdhënie diplomatike. Shtetet e Bashkuara do të mirëpresin vendosjen e përfaqësisë diplomatike të Kosovës në SHBA dhe planifikon vetë që ta bëjë të njëjtën në Kosovë.

Teksa Kosova po hap një kapitull të ri në historinë e vet si shtet i pavarur, pres me gëzim thellimin dhe forcimin e miqësisë sonë të veçantë.

Përzemërsisht,
George W. Bush

*************************************************************************************************************************************************************


Deklarata e Presidentit Topi në përshëndetje të shpalljes së pavarësisë së Kosovës

Bamir TopiUnë përshëndes deklaratën e institucioneve të Kosovës, mbi bazën e të cilës Kosova shpall sot pavarësinë e saj!

Dita e sotme është një ditë historike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin dhe fqinjët e saj, sepse përfundimisht korrigjon gabimet e rënda historike që janë bërë në këtë pjesë të Evropës.

Sot është një ditë e lumtur, ditë e madhe dhe me shumë emocion për të gjithë Kosovën, për popullin e saj, për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku ata ndodhen, sot është dita e festës më të madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. Më së fundi ata do të kenë të gjithë bashkë shtetin e tyre më të ri në Botë dhe do të gëzojnë së bashku ata frytet e këtij shteti të ri evropian.

Ky çast është shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe fqinjët e saj, rajonin tonë dhe Evropën, sepse zgjidh përfundimisht hallkën e fundit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, ngërçin e fundit politik, ushtarak e diplomatik si dhe krijon një hapësirë demokracie, sigurie, paqeje dhe stabiliteti afatgjatë.

17 shkurti 2008, ajo minutë historike që është fryt i kurorërizimit të përpjekjeve dhe sakrificave madhore, përbën fillimin e një epoke të re besimi reciprok dhe shprese në të ardhmen, në të gjithë Evropën, duke lënë përfundimisht pas, kohën e luftërave ndëretnike të përgjakshme, kohën e genocidit dhe spastrimeve mbi baza etnike, kohën e kombeve të privilegjuara e të nënshtruara. Kjo është fitorja më e madhe e demokracisë në Evropën Lindore që nga rrëzimi i Murit të Berlinit.

Në këto çaste, ne kujtojmë me respekt dhe nderojmë veprën e të gjithë atyre që luftuan, sakrifikuan, dhanë jetën dhe gjakun e tyre, burrat, nënat dhe motrat kosovare, për realizimin e këtij akti historik.

Sot, Kosova dhe gjithë institucionet e saj falenderojnë të gjithë aleatët e rëndësishëm ndërkombëtare, të cilët shprehën vendosmërinë dhe angazhimin e tyre serioz gjatë gjithë procesit të përfundimit të statusit të pavarësisë së Kosovës.

Dëshiroj sot, të përshëndes të gjithë qytetarët e Kosovës dhe politikanët e saj, në mënyrë të veçantë Presidentin e Kosovës, zotin Sejdiu, Kryeministrin zotin Thaçi, Kryetarin e Parlamentit, zotin Krasniqi, të cilët po dëshmojnë përgjegjësi, dinjitet, maturi, kulturë, koncepte evropiane në procesin e ndërtimit të institucioneve të Kosovës, duke provuar se, e ardhmja e këtij shteti të ri është në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Këtë ditë, të gjithë duhet të përshëndesim rolin e patjetërsueshëm të faktorit shqiptar, i cili është kontribuesi më i madh për stabilitet, paqe dhe siguri në rajon, i cili mbështeti të gjitha proceset e rëndësishme integruese euroatlantike dhe demokratike në rajon e në Evropë, duke u bërë një partner i besueshëm i NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sot, është dita e së ardhmes së Kosovës, dita e së ardhmes për Shqipërinë, për të gjithë rajonin dhe për Evropën e Bashkuar.

Ju faleminderit!

*************************************************************************************************************************************************************


Fjala e Presidentit dr. Fatmir Sejdiu në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Fjala e presidentitI nderuar Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi,
I nderuar Kryeministër i Kosovës, z. Hashim Thaçi,
Të nderuar deputetë dhe ministra,
E nderuara familje e Presidentit Rugova,
E nderuara familje Jashari,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Poštovani poslanici,
Poštovani gradjani Kosova,
Zonja dhe Zotërinj,


Dita e sotme e ndan historinë e Kosovës në dysh: në epokat para dhe pas pavarësisë. Pavarësinë e Kosovës e kanë krijuar breza të tërë me veprën e tyre jetësore, me punë të palodhshme dhe me sakrificat që kanë bërë. Pavarësinë tonë po e shpallim para dhe me bekimin e botës, në mes miqsh tanë që u gjetën pranë nesh gjatë dekadave e sidomos para një dekade kur e keqja kishte përfshirë këtë pjesë të Ballkanit. Po të njejtit miq ishin me ne edhe gjatë rimëkëmbjes së pasluftës, rindërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta dhe okupimi.

Sot, kujtojmë shumë sakrifica që i kanë paraprirë kësaj dite të jashtëzakonshme. I kujtojmë nënat dhe baballarët të cilët përjetuan vështirësi të papërshkrueshme në mënyrë që bijtë dhe bijat e tyre të mund të jetonin të lirë. Sot, kujtojmë Presidentin Ibrahim Rugova, udhëheqësin e madh dhe themeltarin e shtetit tone, i cili e nxorri Kosovën nga kaosi në rend demokratik. Sot, kujtojmë Adem Jasharin dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që e çuan tutje vullnetin e popullit të Kosovës për të qenë të lirë. Poashtu kujtojmë edhe fqinjtë tanë të të gjitha përkatësive etnike, ideologjike e religjioze të cilët na dolën në ndihmë gjatë viteve të represionit dhe luftës. I kujtojmë të gjitha këto jo në shenjë hakmarrjeje për të kaluarën e dhunshme, por për të ndërtuar një të ardhme plot besim që do të ofrojë ambient për pajtim dhe falje.

Këto ngjarje të madhërishme të historisë sonë – sakrificat tona, si dhe shpresat dhe arritjet tona – na kanë sjellë sot këtu për të shpallur pavarësinë tonë. Kjo shpallje e pavarësisë është vullnet i popullit. Është rrjedhojë morale dhe logjike e historisë sonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special Marti Ahtisari. Pavarësia e Kosovës shënon fundin e procesit të gjatë të shpërbërjes së Jugosllavisë. Pas dy vitesh angazhimi në negociata të mirëfillta mbi statusin me Beogradin dhe përkundër angazhimit serioz dhe konstruktiv të Ekipit të Unitetit të Kosovës, arritja e një zgjidhjeje të pranueshme për dy palët nuk ishte e mundshme. Prandaj, u desh të vepronim për t’i ofruar popullit tonë një perspektivë të qartë me qëllim të avancimit të zhvillimit tonë politik, shoqëror dhe ekonomik.

Vizioni ynë për Kosovën është shumë i qartë. Dëshirojmë që Kosovën ta ndërtojmë mbi parimet fundamentale demokratike. Kjo do të thotë se Kosova do të jetë një shtet demokratik, shumetnik, i integruar në rajon, me marrëdhënie të mira fqinjësore me shtetet përreth, një shtet që lëviz shpejt drejt anëtarësimit të plotë në Bashkësinë Euro-atlantike. Populli i Kosovës është përcaktuar dhe dëshiron një të ardhme evropiane për vendin e vet.

Propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës në mars të vitit të kaluar ka marrë edhe përkrahjen e Kuvendit të Kosovës. Kjo pako u jep serbëve por edhe pakicave tjera: turqve, boshnjakëve, romëve, ashkalinjëve dhe egjiptasve, garancë të fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të tyre kulturore e politike, që në shumë pika tejkalojnë edhe standardet më të avancuara ndërkombëtare për të drejtat e pakicave. Kushtetuta e Republikës së Kosovës u garanton komuniteteve pakicë pjesëmarrje të gjithanshme dhe kuptimplote në vendimmarrje.

Të nderuar pjesëmarrës të kësaj seance historike të Kuvendit të Kosovës,

Prioritet nacional për Republikën e Kosovës në javët dhe muajt e ardhshëm është zbatimi i plotë i Planit të Ahtisarit. Shumë shpejt synojmë të miratojmë ligjet dhe Kushtetutën e re të Kosovës e cila mishëron edhe parimet e Ahtisarit. E gjithë kjo do të pasohet me veprime konkrete në terren për zbatimin e dispozitave që përmban plani i Presidentit Ahtisari.

Kosova me aktin e sotëm poashtu po merr përgjegjësitë që i takojnë si shtet. Në të njëjtën kohë, Kosova rithekson përkushtimin për bashkëpunim të ngushtë me Bashkësinë Ndërkombëtare për ndërtimin e një shteti në pajtim me normat dhe parimet më të avancuara të demokracisë. Për këtë qëllim Kosova mirëpret vendosjen e pranisë civile ndërkombëtare, e cila do të mbështesë zhvillimin e mëtejmë demokratik të vendit tonë por, edhe do të mbikëqyrë zbatimin e Planit të Ahtisarit. Në veçanti, vlerësojmë gatishmërinë e BE-së për të marrë një rol më të madh në Kosovë. Poashtu mirëpresim vazhdimin e pranisë ushtarake të trupave të NATO-s. Zotohemi se do të bashkëpunojmë ngushtë me përfaqësuesit civilë dhe ushtarakë në Kosovë.

Jemi të vetëdijshëm se pjesëtarë të komuniteteve pakicë në Kosovë e shikojnë pavarësinë me frikë dhe skepsë. Ne do të bëjmë çmos që të sigurohemi se të drejtat, kultura dhe prona e tyre do të respektohen në mënyrë rigoroze në Kosovën e pavarur.

Poštovani gradjani Kosova,
Poštovani poslanici,


Još jednom želim da iskoristim ovu sveĿanu priliku da ponovo pozivam sve gradjane Kosova, pre svega gradjane srpske zajednice na Kosovu da daju svoj doprinos u zajedniĿkoj izgradnji jednog Evropskog Kosova u kojem svaki gradjanin će se osećati u svojoj kući. Kosovo je podjednako vaša kuća i vaša domovina. Vaša prava i prava pripandika drugih zajednica u nezavisnom Kosovu biće stalna obaveza naših državnih intitucija. Srpsko kulturno i religiozno nasledje biće potpuno zaštićeno. Vas etniĿki i jeziĿni identitet biĿe potpuno poštovan. A to Ŀemo ostvariti zajedniĿkim radom u svakodnevnom životu i u institucijama Kosova.

Të nderuar deputetë,


Duam të theksojmë fuqishëm se Kosova dëshiron marrëdhënie të fqinjësisë së mirë edhe me Serbinë mbi bazën e respektimit të ndërsjellë. Shpresojmë se synimi ynë për të normalizuar marrëdhëniet me Beogradin sa më shpejt që të jetë e mundur do të përkrahet edhe nga Serbia.

Jemi mirënjohës për rolin dhe punën që ka bërë OKB-ja në rindërtimin e Kosovës së pasluftës. OKB-ja do të vazhdojë të luajë një rol në Kosovë për aq kohë sa Rezoluta 1244 do të jetë në fuqi. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me OKB-në për të avancuar qëllimet tona të përbashkëta për paqe, siguri dhe zhvillim demokratik të Kosovës deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në këtë organizatë prestigjioze.

Integrimi ynë do të rrjedhë natyrshëm sepse me vlerat e veta Kosova kulturalisht i ka takuar kësaj familjeje gjithnjë, por tashti në rrethanat e reja Kosovës i duhet integrimi politik për të krijuar mundësi të reja në mënyrë që resurset njerëzore dhe natyrore të vihen në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm shoqëror e ekonomik të vendit tonë.

Zonja dhe Zotërinj,

Republika e Kosovës sot kërkon përqafimin e botës. Ndërsa presim njohje të shpejtë nga shumë vende të botës, me pietet të veçantë kujtojmë shumë personalitete të mëdha botërore që qëndruan përkrah popullit të Kosovës gjatë dekadave e sidomos gjatë orëve më të vështira të tij.

Populli ynë do të dijë t’u jetë përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe vendeve të tjera të botës demokratike për përkrahjen e pazëvendësueshme për vendin tone, Kosovën.

Zoti e bekoftë popullin e Kosovës!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!
Zoti i bekoftë të gjithë miqtë e Kosovës!

*************************************************************************************************************************************************************


   Deklarata e Pavarësisë së Kosovës

Leximi i Deklarates se pavaresiseTë mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë,

Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj,

Të zotuar për t’u përballur më trashëgiminë e dhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes,

Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë,

Duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive,

Duke vërejtur se Kosova është një rast special që del nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk është presedan për cilëndo situatë tjetër,

Duke rikujtuar vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë që shqetësuan ndërgjegjen e të gjithë popujve të civilizuar,

Mirënjohës që bota intervenoi më 1999 duke hequr në këtë mënyrë qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën, dhe vendosur Kosovën nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara,

Krenarë që Kosova që atëherë ka zhvilluar institucione funksionale, multietnike të demokracisë që shprehin lirisht vullnetin e qytetarëve tanë,

Duke rikujtuar vitet e negociatave të sponsorizuara ndërkombëtarisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjen e statusit tonë të ardhshëm politik,

Duke shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë rezultat i pranueshëm për të dyja palët përkundër angazhimit të mirëfilltë të udhëheqësve tanë,

Duke konfirmuar se rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i ofrojnë Kosovës një kornizë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e saj të ardhshëm, dhe janë në vijë me standardet më të larta europiane për të drejtat të njeriut dhe qeverisjen e mirë,

Të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i jipet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet, të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë,

Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,

1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

2. Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.

3. Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

4. Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.

5. Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.

6. Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik.

7. Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.

8. Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.

9. Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.

10. Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjtë tanë për të avansuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.

11. Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.

12. Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre.


Keshtu u festua ne Friedrichshafen:


"Kosova&Germany" - Vizatoi Emira Osmani Klasa 5




DARDANIA - Shop - DARDANIA - Shop - klikoni 
FER - Guacka Shop - FER - Guacka - Shop - klikoni 
 


 Thuaje flalën tënde   < Kliko


Im Moment bereiten wir die Inhalte für diesen Bereich vor. Um Sie auf gewohntem Niveau informieren zu können, werden wir noch ein wenig Zeit benötigen. Bitte schauen Sie daher bei einem späteren Besuch noch einmal auf dieser Seite vorbei. Vielen Dank für Ihr Interesse!

 
 
Top